Prej vitesh, Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë përmendet jo vetëm si institucion i rëndësishëm arsimor, por edhe si një nga shembujt më të debatueshëm të funksionimit të brendshëm të sistemit akademik në vend. Pyetja që shtrohet , qoftë në mënyrë të hapur apo në biseda korridoreve, është: a është ky fakultet një vatër e meritokracisë apo një strukturë e mbyllur nepotike?

Sipas shumë zërave kritikë, brenda këtij institucioni është krijuar ndër vite një kulturë e fortë e lidhjeve familjare dhe klienteliste. Madje, ironikisht thuhet se brenda këtij fakulteti “nuk ka më martesa nga dashuria”, sepse rrjetet familjare tashmë janë aq të ndërthurura, sa që pothuajse të gjithë janë të lidhur mes vete. Kjo tablo, sado e ekzagjeruar mund të duket, reflekton një perceptim të thellë publik për mungesën e hapjes dhe barazisë në mundësi.
Për shumë të rinj ambiciozë, rruga drejt avancimit akademik në këtë fakultet shihet si pothuajse e pakalueshme pa përkrahje nga “brenda”. Nuk mjafton të jesh student i shkëlqyer apo studiues i përkushtuar; por duhet të jesh pjesë e familjeve të caktuara ose të krijosh lidhje përmes martesës me rrethin e profesorëve. Në të kundërtën, barriera për depërtim në sistem perceptohet si e trashë dhe e pakapërcyeshme.
Rrënjët e kësaj kulture, sipas kritikëve, shtrihen që nga periudha e ish-Jugosllavisë, kur avancimi akademik kushtëzohej nga lojaliteti politik dhe lidhjet me strukturat shtetërore të kohës. Profesorët e asaj periudhe, që më pas mbajtën pozita kyçe edhe në vitet pasuese, krijuan rrjete të qëndrueshme ndikimi, duke sistemuar familjarët e tyre në katedra dhe klinika. Kjo vazhdimësi, thuhet, ka kontribuar në “ngulfatjen” e sistemit dhe në pengimin e qarkullimit të ideve dhe kuadrove të reja.
Një nga aspektet më shqetësuese është perceptimi se studentët e talentuar nga shtresa më pak të privilegjuara – për shembull ata që vijnë nga katunet apo familje pa ndikim – e kanë pothuajse të pamundur të depërtojnë në staf akademik, pavarësisht aftësive të tyre. Ky diferencim social joformal krijon një hendek të rrezikshëm dhe minon besimin në drejtësinë e sistemit arsimor.
Në këtë kontekst, ruajtja e pozitave si “pronë familjare” nga disa profesorë shihet si vazhdimësi e një modeli të vjetër: avancimi pa meritë prodhon kërkesën që edhe brezat pasues të përfitojnë në të njëjtën mënyrë. Kjo krijon një cikël të mbyllur, ku cilësia dhe konkurrenca e ndershme mbeten në plan të dytë.
Zgjidhja, sipas shumë ekspertëve, nuk mund të jetë e pjesshme. Nevojiten reforma të thella strukturore që vendosin meritokracinë në qendër. Vlerësimi i vazhdueshëm shkencor i stafit, transparenca në punësime dhe avancime, si dhe hapja ndaj kuadrove të reja janë hapa të domosdoshëm. Vetëm profesorët që kontribuojnë realisht në kërkimin shkencor dhe në zhvillimin akademik duhet të mbeten pjesë e sistemit.
Një reformë e tillë nuk do të kishte vetëm efekt pastrues, por edhe motivues: do t’i inkurajonte të rinjtë të investojnë në dije dhe shkencë, duke e parë se përpjekja e tyre shpërblehet drejt. Në fund, kjo do ta kthente Fakultetin e Mjekësisë në një institucion serioz, konkurrues dhe të denjë për rolin që ka në shoqëri.
Pyetja mbetet: a ka vullnet për ta thyer këtë cikël? Përgjigjja ndaj saj do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e fakultetit, por edhe besimin e gjeneratave të reja në sistemin arsimor.




