Kjo gjendje po diagnostikohet gjithnjë e më shpesh falë zhvillimit të radiologjisë dhe përdorimit të saktë të ultrazërit, duke u kursyer foshnjave komplikime të rënda shëndetësore.
Çfarë është Hipertrofia e Pylorusit dhe si shfaqet klinikisht?
Hipertrofia e pylorusit është një patologji që prek kryesisht foshnjat në muajt e parë të jetës (zakonisht mes javës së 2-të dhe të 6-të). Pylorusi është valvula ose muskuli që lidh stomakun me zorrën e hollë (duodenin).
Në këtë patologji, ky muskul trashet (hipertrofizohet) në mënyrë anormale, duke bllokuar kalimin e ushqimit nga stomaku për në zorrë.
Ushqimi kthehet menjëherë pas ushqyerjes, shpesh në formë harku. Foshnja do të ushqehet sërish menjëherë pas vjelljes, pasi stomaku mbetet bosh. Për shkak se ushqimi nuk përthithet, foshnja fillon të humbasë peshë, shfaq letargji dhe shenja dehidrimi.
Roli kyç i Radiologjisë dhe diagnostifikimi me ultrazë
Në të kaluarën, kjo patologji diagnostikohej më vështirë, por sot ultrazëri ka revolucionarizuar qasjen diagnostike. Radiologët janë në vijën e parë për të kapur këtë ndryshim anatomik në mënyrë jo-invazive dhe pa rrezatim për foshnjën.
Për të kuptuar më shumë rreth kritereve ekografike, redaksia jonë ka kontaktuar Dr. Murat Muratin, specialist në Spitalin Amerikan, i cili ka ndarë me ne elementet kryesore që përcaktojnë këtë diagnozë në ultrazë.
Sipas Dr. Muratit, ekzistojnë disa karakteristika tipike në ultrazë që e konfirmojnë Hipertrofinë e Pylorusit: Matja e murit të pylorusit shfaqet e rritur ndjeshëm (zakonisht mbi 3 milimetra). Kanali shfaqet i zgjatur (zakonisht mbi 14-15 milimetra). Në pamjen tërthore, muskuli i trashur duket si një unazë e errët rreth lumenit të bardhë.
Pasi ultrazëri konfirmon hipertrofinë e pylorusit, rasti kalon menjëherë tek kirurgët pediatër për ndërhyrje kirurgjikale (piloromiotomi), e cila është një procedurë e thjeshtë dhe me sukses të lartë shërimi.




