Deklarata e një ish-kryeministri slloven se emigrantët nga Kosova “nuk janë vlerë kombëtare për Slloveninë” tingëllon fyese, përçmuese dhe e papranueshme për shumë qytetarë kosovarë. Një gjuhë e tillë, sidomos kur vjen nga një figurë publike që ka mbajtur përgjegjësi të lartë shtetërore, nuk ndihmon as integrimin, as respektin e ndërsjellë, as marrëdhëniet mes popujve. Por , por…. problemi qendron vetëm tek ne si shoqëri !
Por, përtej indinjatës së drejtë ndaj një deklarate të tillë, duhet të shtrohet edhe një pyetje e pakëndshme: pse Kosova dhe qytetarët e saj shpesh perceptohen pa rrespekt në vende të ndryshme evropiane? Problemi nuk qëndron te dinjiteti i qytetarit të zakonshëm kosovar, i cili punon, sakrifikon dhe kërkon një jetë më të mirë. Problemi qëndron te imazhi që e kanë prodhuar për vite me radhë elitat politike dhe institucionale në vend.
Nuk mund të kërkosh respekt të plotë nga jashtë, kur brenda vendit vazhdojnë të mbizotërojnë dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të parasë publike, tenderë të dyshimtë dhe lidhje të errëta mes politikës, biznesit dhe pushtetit. Kur qytetarët shohin politikanë që pasurohen në mënyrë të pashpjegueshme, ndërsa shumica përballen me papunësi, paga të ulëta dhe mungesë perspektive, atëherë dëmtohet jo vetëm besimi në shtet, por edhe reputacioni i vendit jashtë kufijve.
Edhe sistemi arsimor mbetet një plagë e hapur. Rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare, përfshirë PISA-n, nuk janë vetëm statistika të ftohta. Ato tregojnë një krizë të cilësisë në arsim, mungesë investimi të mençur dhe dështim për t’u dhënë brezave të rinj njohuritë e aftësitë që kërkon tregu modern i punës. Një shtet që nuk ndërton shkollë cilësore, vështirë se mund të ndërtojë ekonomi konkurruese dhe administratë të përgjegjshme.
Po aq shqetësues është perceptimi për drejtësinë selektive. Kur qytetari i varfër ndëshkohet shpejt për gabime të vogla, ndërsa rastet e mëdha të korrupsionit, krimit ekonomik dhe abuzimit me pushtetin zvarriten pa fund ose mbeten pa epilog, krijohet bindja se ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Në një shoqëri të tillë, mosbesimi bëhet normë dhe largimi nga vendi shihet si zgjidhja e vetme.
Respekti nga Sllovenia, Gjermania apo çdo vend tjetër nuk mund të kërkohet si favor. Ai fitohet përmes shtetit funksional, dinjitetit qytetar dhe rezultateve konkrete.




