Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se rajoni po përballet me një “përplasje katastrofike mes sëmundjeve dhe konfliktit”, ndërsa shpërthimi i Ebolës në provincën Ituri po përhapet më shpejt sesa ritmi i reagimit humanitar dhe shëndetësor.

“Nuk mund të ndërtojmë besim te komuniteti apo të izolojmë të sëmurët ndërkohë që bien bomba”, u shpreh ai në X.

Ai pritet të mbërrijë në Republikën Demokratike të Kongos për të drejtuar përshkallëzimin e përpjekjeve për frenimin e virusit. Sipas të dhënave paraprake, që nga shpallja e epidemisë dyshohet se janë regjistruar rreth 220 viktima.Punonjësit humanitarë po hasin vështirësi të mëdha në terren, pasi lëvizja është e kufizuar për shkak të gjendjes së rënduar të rrugëve, ndërsa konfliktet e armatosura dhe zhvendosjet masive të popullsisë kanë dobësuar më tej sistemin shëndetësor të vendit.

Situata është përkeqësuar edhe nga shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare.

Provinca e Iturit ndodhet nën administrim ushtarak që prej vitit 2021, kur autoritetet civile u zëvendësuan nga drejtimi ushtarak, në përpjekje për të frenuar aktivitetin e dhjetëra grupeve të armatosura që veprojnë në rajon.

Tedros nënvizoi se ndalimi i përhapjes së virusit në zonë “varet tërësisht nga qasja humanitare”.