Por pyetja më e madhe nuk është vetëm pse shëndetësia e Kosovës ka ardhur në këtë gjendje. Pyetja është se si arritëm deri këtu dhe kush mban përgjegjësi për këtë dështim shumëvjeçar?

Përgjatë historisë së institucioneve shëndetësore në Kosovë, menaxhimi i këtij sektori ka qenë vazhdimisht një sfidë serioze. Për shumë vite, drejtimi i shëndetësisë nuk është karakterizuar nga vizioni afatgjatë, profesionalizmi dhe përgjegjësia publike që kërkon një sektor kaq jetik. Dyshimet dhe kritikat për emërime politike, keqmenaxhim, interesa personale dhe keqpërdorim të pozitave kanë qenë pjesë e debatit publik. Në vend që prioritet të ishte ndërtimi i një sistemi funksional për qytetarët, shumë vendime kanë lënë përshtypjen se interesat personale dhe të afërmve kanë pasur më shumë rëndësi sesa interesi i përgjithshëm.

Nëse këto pretendime duhen vërtetuar rast pas rasti, një gjë është e pamohueshme: rezultatet e menaxhimit shumëvjeçar janë larg pritjeve të qytetarëve.

Është e vështirë të kuptohet se si një vend me rreth 1.5 milion banorë nuk arrin të ndërtojë një sistem shëndetësor që garanton shërbime cilësore, furnizim të qëndrueshëm me barna dhe trajtim dinjitoz për pacientët. Qytetarët vazhdojnë të përballen me shpenzime të larta nga xhepi i tyre, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Vetë Komisioni Evropian në Raportin e vitit 2025 konstaton se zbatimi i reformave shëndetësore është i ngadalshëm, cilësia e shërbimeve mbetet shqetësuese dhe shpenzimet private të qytetarëve për shëndetësi vlerësohen rreth 40 për qind. Po ashtu, Kosova ka shënuar progres shumë të kufizuar drejt mbulimit universal shëndetësor.

Këto nuk janë thjesht statistika. Pas çdo shifre qëndron një pacient që pret për një termin, një familje që shpenzon kursimet për shërim dhe një qytetar që humb besimin te institucionet e veta.

Një popullsi prej rreth 1.5 milion banorësh meriton një sistem shëndetësor që funksionon, jo një sistem ku pacienti shpesh ndihet i vetëm përballë sëmundjes dhe kostos së trajtimit.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për strategji të reja, dokumente dhe premtime politike. Ka nevojë për njerëz profesionistë në pozita drejtuese, menaxhim të përgjegjshëm, transparencë në shpenzimin e parasë publike dhe llogaridhënie për çdo dështim.

Në fund, raporti i progresit nuk duhet të na shqetësojë vetëm për shkak të asaj që shkruan për shëndetësinë. Duhet të na shqetësojë fakti se, pas kaq shumë vitesh, ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem ku qytetari të ndihet i sigurt kur ka nevojë për mjekim.

Shëndetësia nuk është pronë e partive politike, as mundësi për pasurim personal. Ajo është e drejtë themelore e qytetarit dhe përgjegjësi e shtetit.