Këto krime nuk vijnë nga hiçi. Ato janë manifestim i traumave të vjetra – luftë, varfëri, kulturë e dhunës, mentalitet provincial primitiv si rrezultat i deshtimit të shkollës . Këto trauma nuk janë trajtuar kurrë seriozisht. Në vend që të shërohen, ato grumbullohen dhe shpërthejnë brenda mureve të shtëpisë. Dhe jo vetëm aty: e njëjta agresivitet, e njëjta mungesë kontrolli, shihet edhe në komunikacion, në rrugë, në stadiume, në çdo vend ku njerëzit përplasen. Është e njëjta sëmundje e pashëruar që del në forma të ndryshme.

Problemi kryesor mbetet mungesa e kulturës së shëndetit mendor. Në vendin tonë, vizita te psikiatri ende shikohet si turp, si shenjë dobësie. Ndërkohë, vendi ka nevojë urgjente për psikiatra cilësorë dhe për një propagandë të qartë: shko te specialisti jo vetëm kur je në krizë, por edhe për stres, zemërim, depresion, konflikte familjare. Pa këtë, dhuna do të vazhdojë të jetë “zgjidhja” e vetme që shumë njerëz dinë ta përdorin.
Nëse nuk fillojmë ta trajtojmë këtë realitet si problem kolektiv shëndetësor e jo si “fat” apo “karakter kombëtar”, vrasjet familjare do të mbeten lajm i përditshëm. Dhe ne do të vazhdojmë të habitemi çdo herë, sikur nuk e dimë nga vijnë.




