Sipas rrëfimit të tij për redaksinë tonë, pas kontrollit të parë në QKUK ku i ishin vendosur dy stenda, ai ka vazhduar të ndjehet keq. I shqetësuar për shëndetin e tij, ai ka vendosur të konsultohet me një mjek kardiolog intervent nga Turqia në një spital privat.

Përvoja në spitalin privat ka qenë plotësisht e ndryshme dhe tronditëse për pacientin. Mjeku turk, me një profesionalizëm të lartë, jo vetëm që ka konstatuar problemin e pazgjidhur, por i ka vendosur edhe tre stenda të tjera, duke arritur të lirojë plotësisht arterjen e bllokuar – ndonëse në QKUK i kishin thënë se një gjë e tillë ishte "e pamundur".

Ky rast ka lënë pas shumë pikëpyetje dhe zhgënjim të madh tek pacienti, i cili ngre pyetjen thelbësore:

_"Si ka mundësi që një mjek i huaj, një turk, të jetë më i aftë dhe të bëjë atë që klinika kryesore e kardiologjisë në Kosovë nuk mundi ta bëjë?"_

I revoltuar nga kjo eksperiencë, sinjalizuesi bën thirrje publike që autoritetet të marrin masa urgjente. Ai sugjeron se ndoshta ka ardhur koha që në QKUK të pranohen dhe të mbahen vetëm ata profesionistë që e duan punën dhe shkencën, pasi me këtë nivel shërbimesh dhe përgjegjësie, zhvillimi i shëndetësisë publike mbetet tejet problematik dhe në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve që nuk kanë mundësi financiare për spitale private.