Burimi është i vjetër dhe sistemik. Konkurenca në mjekësi fillon shumë herët, shpesh para se studenti të hyjë në fakultet. Hyrja është selektive, pastaj vijnë klasifikimet e vazhdueshme, specializimet e kufizuara dhe pozitat e rralla. Siç theksojnë analiza të kulturës mjekësore, sistemi funksionon si një “hinkë”: shumë aspirata në fund, pak vende në majë. Kjo e kthen kolegun në rival ekonomik dhe profesional. Hierarkia e theksuar – ku senioriteti, reputacioni dhe dukshmëria peshojnë më shumë se bashkëpunimi – e forcon këtë dinamikë. Në mjedise të tilla, suksesi matet me krahasim: kush ka më shumë pacientë, kush publikon më shumë, kush merr fellowship-in më prestigjioz, kush ka pagën më të lartë.
Historikisht, rivaliteti mes mjekëve nuk është i ri. Nga mosmarrëveshjet e shekullit XVII për transfuzionin e gjakut, te “gara” për zbulimin e HIV-it mes shkencëtarëve francezë dhe amerikanë, e deri te konfliktet e famshme midis Pasteur-it dhe Koch-it, profesioni ka pasur shembuj të shumtë ku egoja dhe pretendimi i prioritetit kanë eklipsuar bashkëpunimin. Një thënie e vjetër latine thotë “Invidia medicorum pessima” – xhelozia e mjekëve është më e keqja. Dhe nuk është rastësi. Profesioni tërheq njerëz ambiciozë, të disciplinuar dhe të orientuar drejt suksesit individual. Kur kjo ambicie takohet me mungesën e vendeve dhe me hierarki të ngurtë, rezultati është krahasim i përhershëm.
Pse secili pretendon se është më i miri? Sepse sistemi e shpërblen këtë sjellje. Në mjekësi, vlera shpesh matet me status, jo vetëm me kompetencë. Krahasimi me kolegët bëhet automatik: “Unë kam më shumë përvojë”, “Unë kam bërë më shumë operacione”, “Unë kam mesataren më të lartë”. Në thelb, kjo pretencë është shpesh shenjë e pasigurisë dhe e ankthit të statusit. Studimet mbi psikologjinë e profesioneve tregojnë se krahasimi i vazhdueshëm me bashkëmoshatarët rrit djegien profesionale (burnout) dhe ul kënaqësinë në punë. Në vend që të bashkëpunojnë, shumë mjekë e përjetojnë suksesin e tjetrit si dështim personal. A është kjo pasojë e frustrimeve të theksuara apo e tipareve sociopatike? Jo domosdoshmërisht. Nuk bëhet fjalë për patologji individuale në shumicën e rasteve, por për një sistem që nxit status-anxiety, xhelozi profesionale dhe mbrojtje të egos. Kur pozitat janë të kufizuara dhe hierarkia e mbyllur, frustrimi bëhet kolektiv dhe shfaqet si rivalitet.
Në kontekstin e Kosovës, ky fenomen merr ngjyra edhe më të forta. Në një treg të vogël, me vende të kufizuara dhe me një trashëgimi të gjatë nepotizmi (sidomos në Fakultetin e Mjekësisë), rivaliteti bëhet më i ashpër. Mjekët e rinj shpesh ankohen se “monopolët e hekurt” të seniorëve u mbyllin rrugën, ndërsa të vjetrit e shohin gjeneratën e re si kërcënim. Rezultati është i dyfishtë: disa ikin jashtë, të tjerët mbeten dhe ushqejnë të njëjtën kulturë. Pacienti, në fund, është ai që humb – sepse kur mjekët konkurronë për status dhe jo për bashkëpunim, kujdesi shëndetësor bëhet viktimë e egove.
Rivaliteti i shëndoshë mund të nxisë përmirësim. Por rivaliteti i sëmurë – ai që e kthen kolegun në armik dhe pretencën në armë – e degradon profesionin. Pa ndryshim kulture, pa hapje të pozitave mbi bazë meritash reale dhe pa zvogëlim të hierarkive të panevojshme, ky cikël do të vazhdojë. Dhe ne do të vazhdojmë të kemi mjekë që pretendojnë se janë më të mirët… ndërsa sistemi mbetet i sëmurë.




