Konferencat ndërkombëtare nuk janë vetëm vende ku dëgjohen ligjërata. Ato janë hapësira ku profesionistët e mjekësisë prezantojnë kërkime, debatojnë, shtrojnë pyetje dhe krijojnë bashkëpunime. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e dukshme e pjesëmarrjes aktive nga një pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë duhet të ngrejë pyetje serioze për cilësinë e përfaqësimit universitar dhe shkencor.

Nuk mjafton të jesh i pranishëm në sallë. Profesori universitar pritet të kontribuojë me dije, të mbrojë qëndrime profesionale, të prezantojë punën shkencore dhe të komunikojë me kolegë nga vende të tjera. Kur pjesëmarrja kufizohet në ulje pasive, pa prezantime, pa pyetje dhe pa debat, konferenca humb vlerën e saj si mundësi për zhvillim akademik.

Në mjekësinë bashkëkohore, gjuha angleze nuk është luks. Ajo është mjet pune për leximin e literaturës së re shkencore, publikimin e studimeve, pjesëmarrjen në kongrese dhe komunikimin me kolegë ndërkombëtarë. Mungesa e njohjes funksionale të anglishtes e kufizon një pedagog jo vetëm në konferenca, por edhe në qasjen ndaj zhvillimeve të reja në diagnostikë, trajtim dhe kërkim shkencor.

Titujt akademikë kanë kuptim vetëm kur mbështeten në meritë, punë kërkimore, etikë profesionale dhe aftësi për të mësuar brezat e rinj.

Universiteti dhe Fakulteti i Mjekësisë duhet të kenë kritere transparente për zgjedhjen e stafit akademik: publikime të verifikueshme, përvojë klinike, pjesëmarrje aktive në konferenca, kompetencë pedagogjike, njohje të gjuhës angleze dhe integritet profesional. Transparenca mbron edhe profesorët që e meritojnë titullin, sepse i ndan ata nga praktikat e mundshme klienteliste.

Ne jemi shumë të vegjel që të kemi kaq shumë injorancë ne pozita të rendësishm akademike . Është për çudi se si një popull kaq i vuajtur e meritoj këtë gjendje mjerane .