Ka organizata që ekzistojnë për të bërë diçka. Ka organizata që ekzistojnë thjesht për të ekzistuar. Oda e Mjekëve të Kosovës, për fat të keq, i përket kategorisë së dytë.

Një odë mjekësore në Europë matet me dy gjëra: sa kongrese dhe aktivitete shkencore organizon, dhe sa thellë bashkëpunon me organizatat homologe europiane dhe ndërkombëtare. Standardet e EMA-s, direktivat e UEMS-së, protokollet e ESC-së — këto janë gjuha e përditshme e odave serioze europiane.

Po Oda e Mjekëve të Kosovës? Organizimet shkencore janë të rralla sa ngjarjet meteorologjike ekstreme, dhe bashkëpunimi me odat europiane është minimal deri në inekzistencë. Rezultati: mjekët kosovarë mbesin të izoluar nga rrjedha e dijes bashkëkohore, ndërsa kolegët e tyre serbë, kroatë dhe sllovenë integrohen gradualisht në rrjetet europiane profesionale.

Pyetja e natyrshme: çfarë bën konkretisht Oda gjatë vitit? Përgjigja e ndershme: mbledhet, komisionon dhe paguan ( rroga dhe meditje ).

Ndër momentet më poshtëruese për figurën e mjekut kosovar ishte kur u kërkua deklarimi i pasurisë — sikur mjeku të ishte zyrtar që shpërndan tendera, jo profesionist që shpëton jetë. Një odë e denjë do të kishte reaguar menjëherë dhe me forcë. Do të kishte dalë publikisht dhe do ta kishte thënë me zë të qartë: **mjeku nuk është funksionar — ai i nënshtrohet standardeve profesionale dhe etikës mjekësore, jo ligjit për zyrtarët publikë. Kjo është praktika normale në çdo vend europian.

Oda nuk ka arritur ose nuk ka dashur të përcaktojë saktë se kush çfarë bën dhe ku mbaron autoriteti i secilit specialist.

Ankesa të shumta nga radiologët tregojnë se mjekë nga specialitete të ndryshme klinike kryejnë ultratinguj dhe shkruajnë raporte zyrtare për to — raporte që në shumicën e rasteve janë të pasakta. Ky nuk është opinion — është konstatim profesional i radiologëve, specialistëve të vetëm të licensuar për diagnostikim imazherik.

Dallimi është themelor: në Europë, klinicisti e përdor ultratingullin si mjet ndihmës klinik, për nevojat e tij të menjëhershme gjatë ekzaminimit — por nuk prodhon raport zyrtar diagnostikues. Ai raport, me peshë juridike dhe klinike, është ekskluzivisht kompetencë e radiologut. Kjo nuk është konventë arbitrare — është standard i ndërtuar mbi dekadat e formimit special, certifikimin dhe pergjegjësinë ligjore.

Gjykatat e Kosovës e dinë këtë, edhe pse Oda e ka harruar: kur nevojitet ekspert për diagnostikim imazherik, gjykata thërret radiologun — jo klinicistin, qoftë edhe për imazhin më të thjeshtë të ultratingullit. Kjo sepse vetëm radiologu mban autoritetin profesional dhe ligjor për atë gjykim. Pyetja është: nëse e di gjykata, pse nuk e zbatonë Oda?

Rasti tjetër i dokumentuar është përzieja midis urologjisë dhe nefrologjisë — dy specialitete që ndajnë organin e njëjtë anatomik, por me kompetenca krejtësisht të ndryshme klinike. Ankesa nga nefrologët tregojnë ndërhyrje në sferën e tyre nga specialitete fqinje, me pasoja direkte në trajtimin e pacientëve.

Kjo nuk është mosmarrëveshje e brendshme korporative. Është problem i sigurisë së pacientit.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka dështuar në detyrën e saj primare: të ndërtojë standarte, të mbrojë profesionin dhe të garantojë cilësinë e kujdesit ndaj pacientit. Në vend të kësaj, ka funksionuar si klub i mbyllur ku komisionet rrotullohen , pagesat kryhen dhe askush nuk pyet shumë.

Reforma e Odës nuk është çështje administrative. Është çështje e dinjitetit të profesionit dhe e jetës së pacientit.