Një hulumtim i publikuar nga portali Kallxo ka ngritur shqetësime serioze mbi praktikat e dyshuara në Repartin e Urologjisë në Spitalin e Pejës, duke hedhur dritë mbi një realitet të errët që prek drejtpërdrejt pacientët. Sipas këtij raportimi, dyshohet për ekzistencën e një skeme të organizuar, ku shërbimet shëndetësore që duhet të jenë publike dhe të garantuara, trajtohen si mall tregu.
Një hulumtim i emisionit “Kallxo Përnime” zbuloi se çmimet e pajisjeve mjekësore për operimin e prostatës, që mungojnë në Spitalin e Pejës, u rekomanduan nga stafi mjekësor që të bliheshin në një barnatore specifike.
Në fund të muajit qershor, një pacient nga Peja ishte paraparë t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në prostatë. Por, vetëm pak minuta para se të hynte në sallën e operimit, familjarët e tij morën një kërkesë nga stafi mjekësor.
Përmes një letre të bardhë, të cilën e ka siguruar “Kallxo Përnime” dhe e cila nuk ishte një recetë standarde me logo dhe vulë të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, stafi shëndetësor kishte rekomanduar blerjen e një prerëse, një rollne, Inspirol dhe kateterit, pajisje mjekësore të nevojshme për kryerjen e operacionit të prostatës.
Në fund të letrës ishte shënuar edhe emri i një barnatoreje private, “Begolli Pharm”.
Të gjendur para kësaj situate, vetëm pak minuta para operimit, familjarët shkuan për t’i blerë pajisjet, të cilat kushtuan gjithsej 548 euro e 50 centë.
Këto pretendime, nëse konfirmohen nga institucionet përgjegjëse, ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e sistemit shëndetësor dhe nevojën për mekanizma më të fortë mbikëqyrës. Ndërkohë, mbetet thelbësore që rastet të hetohen në mënyrë të paanshme dhe transparente, për të rikthyer besimin e qytetarëve në shërbimet publike shëndetësore.
Lakmia po e shkatrron figurën e mjekut . Urojmë që ky shtet të funksionalizohet ndonjeherë , dhe qytetari të ndihët me besim tek mjeku!




