Në vitet e fundit, disa nga radiologët me përvojë të Kosovës kanë zgjedhur të largohen nga sektori publik për t'iu bashkuar sektorit privat. Emra si Dr. Serbeze Kabashi, Dr. Ilir Ahmetxhekaj, Dr. Irid Bicaku dhe Dr. Bujar Gjikolli janë vetëm disa nga specialistët që kanë lënë Klinikën e Radiologjisë në QKUK.

Këto largime nuk janë raste të izoluara. Ato pasqyrojnë një trend më të gjerë, ku mjekët me përvojë po zgjedhin të punojnë vetëm në klinika private, ku kushtet e punës, pagat dhe mjediset janë dukshëm më të mira.

Pse po largohen?

Sipas burimeve brenda sistemit shëndetësor, arsyet kryesore të këtij eksodi janë: Mungesa e aparaturave funksionale, mbingarkesa me pacientë dhe mungesa e stafit ndihmës. Në sektorin privat, radiologët mund të fitojnë disa herë më shumë se në sektorin publik. Shumë radiologë ndihen të lënë pas dore nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore publike.

Një problem tjetër që po thellohet është mbingarkesa e Klinikës së Radiologjisë. Sipas sinjalizimeve nga brenda QKUK-së, shumë klinika të tjera nuk po kryejnë anamneza ose ekzaminime trupore siç duhet, duke i dërguar të gjithë pacientët drejt radiologjisë.

Kjo ka bërë që volumi i punës në Klinikën e Radiologjisë të rritet në mënyrë dramatike. Sipas raportit vjetor të punës për 2025, Klinika e Radiologjisë ka kryer 162,724 shërbime diagnostike dhe radiologjike, duke qenë klinika me numrin më të lartë të shërbimeve në të gjithë QKUK-në.

Për më tepër, listat e pritjes për ekzaminime me rezonancë magnetike (MRI) mund të zgjasin deri disa muaj për pacientët ambulantorë, ndërsa kërkesat ditore për ekzaminime me MRI arrijnë deri në 50.

A po humb shteti me këto largime?

Eksodi i radiologëve me përvojë nga sektori publik nuk është thjesht një humbje për Klinikën e Radiologjisë, por për të gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës. Shteti po investon në arsimimin e këtyre specialistëve, por nuk po arrin t'i mbajë ata në sektorin publik.

Kjo situatë ka krijuar një boshllëk të madh në njohuri dhe përvojë, të cilin stafi i mbetur po përpiqet ta mbushë me vështirësi. Në të njëjtën kohë, pacientët po vuajnë nga listat e gjata të pritjes dhe nga mungesa e specialistëve të kualifikuar.

Pse nuk po merr masa shteti?

Pyetja që mbetet e hapur është: pse shteti i Kosovës nuk po merr masa konkrete për ta sistemuar këtë situatë kaotike? Mungesa e vullnetit politik - Reforma në shëndetësi mbeten në letër. Investimet në shëndetësi janë të pamjaftueshme për të përmirësuar kushtet. Mungesa e një plani strategjik për të mbajtur specialistët në sektorin publik.

Derisa këto çështje të mos adresohen siç duhet, eksodi i radiologëve dhe i specialistëve të tjerë do të vazhdojë, duke e lënë sistemin shëndetësor publik të Kosovës në një gjendje gjithnjë e më të vështirë.