Prej një kohe të gjatë, Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdon të funksionojë pa një drejtor të emëruar zyrtarisht. Përpjekjet për të plotësuar këtë pozitë kanë dështuar disa herë radhazi, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e kësaj situate të pazakontë.

Ndërkohë që klinikat e tjera janë të konsoliduar me drejtuese, mungesa e një drejtori në Radiologji shihet si një boshllëk i rëndësishëm menaxherial në një nga shërbimet më kyçe të sistemit shëndetësor.

Në korridoret e QKUK-së, sipas burimeve jozyrtare, po qarkullojnë zëra se arsyeja e dështimeve të njëpasnjëshme në emërim lidhet me interesa të ndryshme brenda këtij sektori. Thuhet se për këtë klinikë qarkullojnë shuma të konsiderueshme parash, veçanërisht për furnizimin me materiale shpenzuese dhe mirëmbajtjen e pajisjeve--- A janë këto pretendime të bazuara apo thjesht spekulime?

Aktualisht nuk ka një konfirmim zyrtar që i mbështet këto pohime, por fakti që procesi i emërimit ka ngecur disa herë rrit dyshimet dhe kërkon transparencë më të madhe institucionale.

Në mungesë të sqarimeve të qarta nga autoritetet përkatëse, mbetet e hapur çdo mundësi. Ajo që është e sigurt është se një klinikë kaq e rëndësishme nuk duhet të mbetet gjatë pa udhëheqje .