Shehu shpjegoi se obeziteti rrit rrezikun për një sërë problemesh shëndetësore që prekin të dyja gjinitë, mes tyre prediabetin dhe diabetin, dislipideminë, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e mëlçisë, osteoartritin dhe disa lloje kanceri.
Megjithatë, sipas endokrinologes, te gratë rreziku është më i lartë për disa patologji specifike, përfshirë disa forma të kancerit.
“Ka sëmundje që shfaqen më shumë tek gratë kur kemi të bëjmë me obezitetin. Ka disa nga pasojat e obezitetit që janë të njëjta për të dyja gjinitë dhe këto janë risku i shtuar për prediabet dhe diabet të sheqerit, padyshim risku për dislipidemi, risku për sëmundje kardiovaskulare, risku për steatohepatitin, pra atë mëlçinë e dhjamosur që njihet në terma popullorë, risku për osteoartrit dhe risku për disa kancere”, u shpreh Tea Shehu.
Mjekja theksoi se, sipas studimeve, gratë me obezitet kanë rrezik të shtuar për kancerin e endometrit dhe kancerin e gjirit, veçanërisht gjatë periudhës së menopauzës. Ajo përmendi gjithashtu edhe disa të dhëna që lidhen me rrezikun për kancerin e vezoreve.
“Por në rastin e grave ka risk të shtuar, sipas studimeve të fundit, për kanceret e endometrit, për kancerin e gjirit, sidomos në periudhën e menopauzës, dhe ka dhe disa studime sporadike për kancerin e vezoreve”, tha endokrinologia.
Një tjetër problem që lidhet me obezitetin te gratë është sindroma e vezoreve policistike, e cila shoqërohet me çrregullime hormonale dhe metabolike.
“Meqenëse sindroma poliendokrine metabolike e vezoreve është një patologji tipike e gjinisë femërore, në këtë popullatë është patjetër më e shpeshtë. Le të themi, ky është variabiliteti që kanë burrat dhe gratë në këtë patologji”, përfundoi Tea Shehu.




